October 2, 2024
Kosova

“Serbia infiltroi ushtarë në veri”, Grupi i Krizave: Kosova po fiton veriun, por po humbet normalizimin

Kosova po fiton betejën për kontrollin e Veriut me shumicë serbe, por po zbeh shanset për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kështu shkruan Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë joqeveritare me seli në Bruksel, që ka analizuar situatën e sigurisë në Kosovë. Që në fillim theksohet se përplasja mes policisë me paramilitarët serbë në Banjskë ka sjellë për Kosovën një nxitje të re për heqjen e institucioneve paralele serbe, ndërsa theksohet se për momentin është bllokuar marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e raporteve, që u garanton serbëve të veriut një nivel vetëqeverisje.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave këshillon qeverinë Kurti që të bashkëpunojë plotësisht me paqeruajtësit e NATO-s për të çmilitarizuar veriun, të garantojë vetëqeverisje të minoritetit serb dhe zgjedhje të reja lokale. Ky institucion, në hulumtimin e publikuar, thekson se ka gjasa për rezistencë të dhunshme nga serbët, pasi kanë shpresuar për autonomi apo bashkim me Serbinë, por gradualisht po pranojnë autoritetin e Prishtinës. Grupi i Krizave thekson se Kosova duhet të tërheqë forcat speciale nga veriu dhe Beogradi të parandalojë aktivitetet e mundshme paramilitare.

Gjithashtu theksohet se në këtë situatë kemi ardhur pas vitit 2021, kur nisi beteja e qeverisë Kurti për të vendosur rendin dhe ligjin në veri, përpjekje e cila u ndesh me barrikada dhe dorëheqje masive të serbëve.

“Serbia infiltroi disa qindra trupa për të fuqizuar rezistencën në dy raste në vitin 2021. Policia dhe kriminelët serbë u përplasën shpesh me armë zjarri. Në maj të vitit 2023, një turmë e zemëruar serbësh tentoi të sulmon forcat speciale, por u përplas me paqeruajtësit e NATO. Disa muaj më vonë, në shtator, policia u përplas me një grup paramilitar të armatosur me armë të një shkalle ushtarake”, thuhet në reagimin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Gjithashtu theksohet fakti që Kosova ka injoruar kërkesat Amerikane dhe Europiane për të pezulluar vendimin për dinarin dhe masat e tjera deri në negocimin e një zgjidhjeje të pranueshme. Por Grupi Ndërkombëtar I Krizave shkruan se në fakt një zgjidhje është aktualisht në tryezë me marrëveshjen e normalizimit, që garanton një njohje defakto të Kosovës nga Serbia. Megjithatë theksohet fakti që Beogradi po e mban peng këtë ujdi pikërisht nga kjo njohje, pasi kërkon ta mbajë statusin e Kosovës të hapur. Ka një rreze shprese që të kalohen këto pengesa në dialogun e BE-së, por me gjasë raporti mes vendeve do të mbetet I ngrirë, vlerëson institucioni hulumtues.

Leave feedback about this

  • Quality
  • Price
  • Service

PROS

+
Add Field

CONS

+
Add Field
Choose Image