Gazment Bardhi kërkoi disa herë me ngulm një përballje me Kryeministrin Edi Rama, lidhur me pretendimet e nënkryetarit demokrat se vëllai i Kryeministrit është i përfshirë në dosjen “Xibraka”. Kreu i Qeverisë as u nuk shfaq në seancë, por përgjigjja erdhi nga Taulant Balla, që ka edhe një ide pse kjo temë rikthehet në aktualitetin politik.
“Edi Rama denoncimin tim për një person të paidentifikuar, të mbetur në dosje, që nuk e thotë Gazment Bardhi, por e thotë gjykata, e quajti një trillim. Por në fakt do të ishte e ndershme që të vinte dhe të thoshte se kjo çështje është hetuar dhe gjykuar në mënyrë përfundimtare”, deklaroi Bardhi.
“Pse u kthyet pas 9 vitesh në këtë fabul, ju e dini që nuk është Olsi Rama, është hetuar për këtë gjë. Pyetja që shtrohet është, kush ju paguan për ta risjellë këtë çështje. Si ka mundësi që politika e këtij krahu, nuk ka vendosur ende mend të shpërdorohet”, iu përgjigj Balla.
Përplasja mes të dyve vijoi në lidhje me punën e policisë. Ishte kreu i grupit të PD që citoi një deklaratë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, dhënë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ndezi akoma më shumë replikat mes tij dhe ministrit të Brendshëm.
“Sapo e ka konfirmuar drejtuesi i SPAK, ku thotë se e ka të pamundur të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit se rezulton se një e Policisë janë pjesë e organizatave kriminale”, tha Bardhi.
“Aplikacionet enkro, SKY, janë problematika që i kanë hasur të gjitha policitë e vendeve të BE. Por falë bashkëpunimit me Europolin dhe falë përfshirjes së prokurorëve të SPAK kemi pasur rezultate dhe shumë të mira dhe do kemi edhe më shumë”, u shpreh Balla.
Pavarësisht se konsumuan më shumë se një orë në replikat me njëri-tjetrin, duket se Balla dhe Bardhi ishin ende të etur për debat, pasi diskutimet i vijuan edhe pa mikrofon.
Leave feedback about this