Mbledhja e Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi dështoi sërish. Për të dytën herë radhazi, kryetarja e këtij komisioni Albana Vokshi nuk arriti që të bindte kolegët socialistë të merrnin pjesë, duke i akuzuar se po bllokojnë punën.
“Është njoftuar në të gjitha mënyrat grupi i deputetëve socialistë, por pa asnjë arsye të shprehur ata kanë referuar që të paraqiten. Kanë shkelur rregulloren e Kuvendit.”
Socialistët kanë shumicën e anëtarëve në komision ndaj mungesa e tyre pamundëson mbledhjen për mungesë të kuorumit, por Kryetarja demokrate e komisionit pohon se do të vijojë me të njëjtën strategji.
“Ne do vijojmë 1 herë, 2 herë. 10 herë. Një ditë do vinë. Ne jemi ankuar dhe tek Kryetarja e Kuvendit…”.
Arsyet e mungesës socialistët i kishin bërë të qarta me anë të një letre dërguar kolegëve të opozitës. Anëtarët e PS ankohen se pakica po kërkon të injektojë frymën e imponimit duke e kthyer punën e komisionit në çështje partiake dhe jo ligjore.
“Nuk po ecni në shtratin ligjor të funksionimit të një organi kolegjial dhe posaçërisht Komisionit Hetimor i cili ka një rregullim të posaçëm. Mbledhja e një komisioni hetimor që të konsiderohet e vlefshme kërkohet prezenca e 50+1 e anëtarëve të komisionit. Kryetarja e komisionit, përpara se të thërras një mbledhje duhet të sigurohet për prezencën e kuorumit të kërkuar, për vlefshmërinë e mbledhje. E për ta siguruar këtë kuorum, duhet të komunikojë me “shumicën e komisionit” për të koordinuar datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes pasardhëse”.
Deputetët e PS paralajmërojnë se do të vijojnë të injorojnë çdo mbledhje të thirrur pa u konsultuar me ta, teksa nënvizojnë se ekspertët e tyre kanë nisur punën për hartimin e një plani hetimi, që do i nënshtrohet më pas vendimarrjes në komision, ku socialistët kanë shumicën e votave.
Leave feedback about this