Shqipëria po përpiqet të bëhet pjesë e “shoqërisë Gigabit”, thënë ndryshe internet i shpejt, rrjet 5G dhe Inteligjencë Artificiale për përdorim nga popullata e gjerë. Për këtë qëllim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
“Hartimi i një projektligji të ri del si nevojë e adresimit më mirë të problematikave të tregut dhe përmbushjes së objektivave strategjikë për një shoqëri gigabit, duke marrë në konsideratë ndryshimet e vazhdueshme të teknologjive. Projektligji synon gjithashtu të plotësojë rekomandimin e progres-raportit të vitit 2021 të BE-së për Shqipërinë”, thekson Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas relacionit të projektligjit, nisma ka për synim zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës broadband, pra internet fals kudo. Gjithashtu në harkun e pak viteve synohet reduktimi i ndarjes digjitale dhe ofrimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse bashkë me rritjen e kërkesës për zhvillimin e ekonomisë digjitale.
“Rregullimet aktuale në ligjin nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë nevojë të rishikohen në kontekstin e ndryshimeve të ndodhura në sektorin e komunikimeve elektronike, zhvillimeve të teknologjive digjitale, përfshirjes në rregullim dhe të 2 aplikacioneve apo të shërbimeve të reja, që mundësojnë mjetet e komunikimit elektronik, bazuar në praktikën evropiane”, njofton Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Baza ligjore e propozuar është e organizuar në 25 krerë dhe përmban gjithsej 193 nene. Projektligji parashikon disa detyra shtesë për organin rregullator, Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, po ashtu dhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Të dy këto institucionet do të kenë në vijim më shumë para në dispozicion nga buxheti i shtetit.
Leave feedback about this