Më shumë se 100 minuta zgjati debati mes socialistëve dhe demokratëve në Komisionin Hetimor për të dhënat e TIMS. Por ishte shumë zhurmë për asgjë. Në fund palët ranë dakord për planin e hetimit paraprak të propozuar nga kryetari Ervin Salianji.
Si mollë sherri që ndezi politik ishte emri i Sali Berishës në arrest shtëpiak. Një fjalë e Blerina Gjylametit hedhur, siç pretenduan socialistët, pa menduar mirë, Berishën dëshmitar në këtë hetim parlamentar, Ervin Salianji e kishte marrë seriozisht dhe përfshirë në listën e dëshmitarëve.
“Ju në ëndrrën tuaj, në sirtar të fshehur, doni që të bëheni dhe gjyqtar i zotit Berisha, ndoshta doni t’i jepni dhe pafajësinë. Jeni në të drejtën tuaj, por ky komision nuk e ka as në objektin e punës ta bëjë këtë gjë”, tha Toni Gogu.
“Ju thash që shpresoj që të vini me mend tuaja jo të të tjerëve. Këto janë deklarata politike. Ëndrrat që ju folët nuk janë objekt ligji, por mund të jenë për fallxhorët”, u shpreh Salianji.
Njësoj si Gogu edhe socialistja Blerina Gjylameti e konsideroi ëndërr të Salianjit thirrjen e Berishës si dëshmitar dhe e cilësoi si batutë propozimin e saj në mbledhjen e kaluar që ish-kryeministri të vijë në komision.
Mazhoranca do të ndihmohet në ekspertizë nga Dritan Jahaj dhe Vjosa Bodo Mujo, ndërsa nga opozita nga Kreshnik Myftari dhe Henri Bici. Por plani paraprak i hetimit dhe caktimi i ekspertëve i hap rrugë punës së komisionit, nuk e ka mbyllur përfundimisht thirrjen e Berishës për dëshmitar.
Ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore diktojnë që thirrja e dëshmitarëve miratohet me vendim të ndërmjetëm dhe me shumicë të cilësuar votash. Çka paralajmëron një tjetër debat për listën e dëshmitarëve në vijim.
Leave feedback about this