Për të disatën herë ish-kryeministri, Sali Berisha, nuk mundi të bindë gjyqtaren e posaçme, Irena Gjoka, për ta liruar nga masa e “arrestit në shtëpi”, firmosur prej saj më 30 dhjetor.
Në të njëjtin vendim, gjykata la të pandryshuar “arrestin në shtëpi” edhe për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, të dy nën hetim për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Përmes avokatëve, ata i thanë gjykatës se hetimi i SPAK nuk ka sjellë asnjë provë dhe arsye ligjore për t’i mbajtur të izoluar.
“Qëndrimi në arrest shtëpie i z. Berisha dhe Malltezi pa një fakt të ri e zbut nevojën e sigurimit. Prokuroria sot nuk thotë dot fabulën, mekanizmin si ka ndodhur kjo histori. Në kërkimet tona ne iu themi, ore na thoni, kur është kryer kjo vepër, në ç’formë. Është detyrim i organit të akuzës. Ata nuk flasin, heshtin. Gjykata vendos sipas tyre”.
Sipas Gjokutajt, SPAK dhe GJKKO vendosin njëlloj, sipas një urdhri politik, për një qëllim të vetëm.
“Qëllimi i gjithë kësaj sage arrestesh dhe rrëzim të kërkesave tona është pikërisht djegia e mandatit”.
Gjatë ditës së martë Gjykata e Lartë do të shqyrtojë në Dhomë Këshillimi kërkesën e ish-kryeministrit Berisha për lirim izolimi në shtëpi. Ndërkohë, ditët e fundit SPAK ka vendosur të zgjasë me 3 muaj afatin hetimor ndaj të dyshuarve të dosjes “Partizani” vendim që do të vlerësohet edhe nga Gjykata e Posaçme.
Leave feedback about this