Nga çdo dy vite, në vetëm dy stinë. Frekuenca e ciklit të ndryshimeve në tregun valutor, e përsëritur gati në mënyrë të rregullt në dy dekada është prishur. Normaliteti i ri në tregun e këmbimit, ai i këmbimit të një euro me rreth 104 lekë krijuar vjeshtën e vitit të shkuar ka zgjatur më pak se gjysmë viti. Euro po këmbehet për më pak se 103 lekë, duke u zhvlerësuar me 9.5 për qind në raport me vetëm një vit më parë.
“Relativisht euro ka qenë në një ekuilibër të ri të cilin e pranuam dhe e prisnim. Vinim nga një euro mbi 140 lekë, ndërsa patëm një ekuilibër më afatgjatë në nivelin e 125 lekëve”, u shpreh Dritan Vakaj.
Pjesa më e madhe nga turizmi dhe eksportet, ndjekur nga investimet e huaja dhe dërgesat e emigrantëve… vetëm nëpërmjet këtyre kanaleve në vend gjatë vitit të shkuar hynë gati 11 miliardë euro. Ditët e mbara që turizmi po kalon po shtojnë sinjalet për një zhvlerësim më tej të valutës europiane.
“Kemi hyrë, jemi duke hyrë në sezonin turistik. Domosdoshmërisht, siç e kemi parë edhe në vitet e tjera, euro ka pasur trend rënës. Shpresojmë dhe urojmë mos jetë aq i theksuar sa vjet, por trendi do të jetë rënës”, tha Vakaj.
Po cila është “vija e kuqe” në kursin e këmbimit valutor?
“100-lekshi është normaliteti i ri që ne presim. Më saktë shpresojmë që kursi i këmbimit mos bjerë poshtë këtij niveli edhe për këtë sezon turistik”, shtoi Vakaj.
Vetëm vitin e shkuar, në gati 600 pikat e këmbimit valutor dhe bankat e nivelit të dytë u këmbyen gati 12 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.
Leave feedback about this