Mbledhja e parë e komisionit hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, ka nisur me përplasje midis kryetarit Ervin Salianji dhe nënkryetarit socialist Toni Gogu.
Gogu tha se ky komision duhet të qëndrojë në shinat e ligjit, duke refuzuar të marrë në konsideratë propozimin e demokratëve për të thirrur si dëshmitar, kreun në arrest shtëpie të Rithemelimit, Sali Berisha.
“Është në nderin e këtij komisioni dhe të integritetit tuaj që ne të qëndrojmë në shinat e ligjit. Planin e hetimit në zbatim të ligjit e propozojnë ekspertët. Natyrisht që edhe ne kemi të drejtë të propozojmë thirrje dëshmitarësh“, tha Gogu.
Më tej, Gogu iu drejtua Salianjit, duke i thënë që të mos bëhet gjyqtar i Sali Berishës.
“Unë e kuptoj që juve në ëndrrën tuaj doni të bëheni gjyqtar i Berishës, mbase doni t’i jepni edhe pafajësi, por ky komision nuk e ka në veprimtari këtë gjë. Nuk është misioni ynë të nxjerrim nga mjedise kolegët tanë ku vuajnë masa që cakton drejtësia. Mos ta kthejmë këtë komision në qesharak“, deklaroi Gogu.
Leave feedback about this