September 11, 2024
Kosova

Armatosja dhe manovrat serbe, eksperti i sigurisë: Kosova nuk ka frikë, FSK gati për çdo skenar

Armatosja e rëndë e Serbisë dhe manovrat ushtarake të luftës, janë një paralajmërim se Aleksandër Vuçiç po përgatit diçka. Këtë e tha eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi për A2 CNN, duke analizuar vizitën e presidentit serb në Francë dhe dëshirën e madhe për blerjen e avionëve të luftës Rafal.

Eksperti theksoi se presidenti serb, duke marrë shkas nga fitoret që po merr Rusia në Ukrainë, mund të kërkojë që të përmbushë oreksin e Vladimir Putin, për të hapur dhe një front tjetër në Ballkan.

Përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia, lëvizjeve ushtarake dhe armatosjes së rëndë, eksperti i sigurisë vlerëson se policia dhe ushtria e Kosovës, me ndihmën e NATO-s, janë gati për çdo skenar.

Disa javë më parë, shprehimisht presidenti i Serbisë ka thënë se vendi i tij po pret për mundësinë më të mirë për të vepruar në Kosovë, një deklaratë që u përkthye si një kërcënim për luftë.

Duke reaguar për këtë, por edhe për denoncimin e kryeministrit Albin Kurti për afrim të ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Bren, paralajmëroi Vuçiçin se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe do të konsiderohej rrezik i forcave të NATO-s.