June 19, 2024
Kulturë

Beteja e Koshares, tre të huajt që luftuan për të bashkuar shqiptarët

Përpos luftëtarëve shqiptarë që kishin ardhur nga të gjitha trevat për të luftuar në Koshare, kësaj beteje në radhët e UÇK-së iu kishin bashkuar edhe një francez, një italian dhe një algjerian. Po si u bë që këta tre shtetas të huaj të luftojnë për të çliruar Kosovën dhe për të bashkuar shqiptarët?

Franchesko Bider, Paillard Arnaud dhe Murat Ali pushojnë në Kompleksin Memorial të Koshares si tre nga mbi 100 dëshmorët e rënë dhe vetëm disa nga luftëtarët e huaj që luftuan për çlirimin e Kosovës.

“Më kujtohet biseda e parë që kemi bërë me njërin prej tyre ka qenë Franchesko Bider, italiani, edhe e kam pyet cili është motivi që ke ardhur të luftosh me ne, tha kam qenë pranë televizionit dhe e kemi parë Masakrën e Reçakut dhe s’kam mundur të qëndroj i qetë në shtëpi në familje”, tregon komandanti Rrustem Berisha.

Tre të huajt kishin moral të lartë ashtu sikurse ushtarët shqiptarë që luftuan në Koshare.

“Janë vesh me uniformë të UÇK-së në mënyrë vullnetare për të ndihmuar në luftën e UÇK-së dhe janë ra heronj sot për Kosovën dhe gjithmonë ne duhet t’i kujtojmë këta si heronj pasi erdhën për të dhënë shpirtin për Kosovën, për shtetin tonë”, u shpreh Shkëlzen Shehu.

Italiani Bider humbi jetën duke tentuar të tërhiqte trupin e pajetë të një tjetër ushtari të UÇK-së.

Ardhja e vullnetarëve të huaj për të luftuar ishte dëshmi e kauzës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës. “Kjo ne na bën një nder të madh sepse në vërtetë kemi pasur një luftë të drejtë dhe një luftë të pastër”, shprehet komandanti.

Bider, Arnaud dhe Ali ngarkoheshin me detyra ushtarake varësisht nevojave nga eprorët e tyre në Betejën e Koshares.