November 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Gjyqi në Apel për Arbër Paplekaj, vrasja e Pjerin Xhuvanit, a u prishën provat?

Eksperimenti hetimor i kryer mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, për llogari të gjykimit të të akuzuarit Arbër Paplekaj në Apelin e Përgjithshëm, rezultoi një dështim.

Kolegji Penal i Apelit e konsideroi “të paplotë” akt-ekspertimin e përpiluar nga tre ekspertë dhe depozituar në gjykatë, për shkak se në përgatitjen e tij, nuk ishin këqyrur pamjet filmike të ngjarjes. Po ashtu, ekspertët nuk kishin përcaktuar vendndodhjen e disa personave të përfshirë në ngjarjen e shënuar pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Pasaktësitë në rezultatet e ekspertimin u pranuan edhe nga vetë firmëtarët e tij, dy nga të cilët thanë se nuk mund të ekspertonin pamjet filmike.

Eksperti Artan Rexhepi vuri në pikëpyetje procesverbalet e mbajtur nga grupi hetimor pas ngjarjes, pasi sipas tij, nuk pasqyronin me vërtetësi vendndodhjen e provave në vendin e ngjarjes.

“Skena është e kontaminuar. Nuk di se si. Gëzhojat nuk pasqyrojnë realitetin e duhur. Autori bën 4-5 hapa pas. Turma është e armatosur. Qitësi numër 2 dhe 3, si të dyshuar identifikohen në video. Për videon na ka munguar koha e nevojshme, por unë jam në gjendje ta ekzaminoj. Referuar videos, për mua qitësit nuk janë aty ku përshkruhen në procesverbalet e ngjarjes”, tha eksperti Rexhepi.

Problemet në akt-ekspertim u pranuan edhe nga dy ekspertët e tjerë Arjan Hako e Shpëtim Budo, të cilët thanë se këqyrja e vendit të ngjarjes kishte shumë mangësi.

“Një akt i ndërtuar mbi këto të dhëna do të ketë probleme, thanë ata, por është ndërtuar mbi ato të dhëna që kishim”.

Dy ekspertët kishin vendosur distancën 11 metër mes qitësve nr. 1 dhe 2 në ngjarje, por nuk dinin t’i përgjigjeshin gjykatës se përse ishte kjo shifër dhe jo një tjetër.  Pas zhvlerësimit të përfundimeve të akt-ekspertimit, gjykata i dha kohë ekspertëve deri në 7 maj, për të sjellë një akt të plotësuar, edhe me kërkesa që palët mund të depozitojnë deri ditën e hënë.

Në Apelin e Përgjithshëm, Arbër Paplekaj, kundërshton dënimin me 22 vite burg të dhënë nga gjykata e Elbasanit. Të pandehur në të njëjtën çështje janë edhe 8 efektivë policie, mes të cilëve Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, dy ish-zv.drejtorët e policisë së Elbasanit, të dënuar me 1 vite Shërbim Prove.