“Cilido që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese kryen krim”. Duke u kujtuar kolegëve socialistë dispozitat e Kodit Penal, Gazment Bardhi bëri thirrje që Kuvendi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi e quajti sulm ndaj drejtësisë sjelljen e mazhorancës me çështjen Xhaçka.
“Qytetarët ishin dëshmitarë se në mënyrë të strukturuar, me në krye Edi Ramën kolegët e Partisë Socialiste sulmuan vendimmarrjen e GJK që detyron Kuvendin të përcjellë për shqyrtim të thelluar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës”, u shpreh Bardhi.
Sipas kreut të grupit të PD, vendimi i mazhorancës po krijon precedentë të rrezikshëm duke sjellë në vëmendje se dhe qytetarët mund të nisin moszbatimet e vendimeve të gjykatave.
“Cili është dallimi mes moszbatimit të një vendimi të një gjykate kushtetuese, se ashtu do Rama, dhe moszbatimit të një vendimi të një gjykatës së posaçme”, u shpreh Bardhi.
I pyetur për zhvillimet në Kuvend, ku Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi dështoi për të të tretën herë radhazi për t’u mbledhur pasi socialistët nuk paraqiten, Bardhi tha se kanë nisur kundërpërgjigjen.
“Jemi duke e ndjekur nga afër situatën dhe kam njoftuar partnerët ndërkombëtar. Të jeni të sigurt që do t’i përgjigjemi me çdo mjet”, tha Bardhi.
Lidhur me thirrjen e tij si dëshmitar në komisionin hetimor për sistemin TIMS, Gazment Bardhi u tregua i gatshëm për t’u rrëfyer.