November 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

“Qitësit nuk janë aty ku përshkruhet në procesverbale”, debate në gjykatë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Akt-ekspertiza e kryer pas rindërtimit të ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani në Elbasan u bë objekt debati në seancën e së martës në Apel ndaj të akuzuarit për ngjarjen, ish-oficerit të RENEA-s, Arbër Paplekaj.

Gjykata konstatoi se ekspertët nuk kanë këqyrur pamjet filmike të ngjarjes. Nuk kemi njohuri për pamjet filmike, thanë ekspertët Arjan Hako dhe Shpëtim Budo.

Ndërsa eksperti Artan Rexhepi i tha gjykatës se këqyrja e vendit të ngjarjes, me dinamikën e ngjarjes nuk janë të njëjta.

“Skena është e kontaminuar. Nuk di se si. Punonjësja e policisë nuk është më larg se një metër nga trotuari. Gëzhojat nuk pasqyrojnë realitetin e duhur. Autori për 4-5 hapa pas. Turma është e armatosur. Qitësi nr. 2 dhe 3, si të dyshuar identifikohen në video. Në gjykimin tim, ajo ngjarje ka probleme. Distanca e qitjes është më e afërt. Për videon na ka munguar koha e nevojshme. Unë jam në gjendje ta ekzaminoj videon. Referuar videos, për mua qitësit nuk janë aty ku përshkruhet në procesverbalet e vendit të ngjarjes”, tha Rexhepi.

Ndërsa eksperti Budo u shpreh: “Në aspektin e përgjithshëm i kemi trajtuar të gjitha. Unë nuk kam bërë ndonjëherë akt-ekspertim të pamjeve filmike”.

Prokurori pyeti ekspertët: A është i saktë akt-ekspertimi që keni sjellë? A të fillojmë ta lexojmë dhe shqyrtojmë?

Rexhepi u përgjigj: Jo, nuk është i saktë. Ideja ime është të bëhen dy akte. Është mirë të bëhet akt edhe për qitësit. Mos të thuash ku është punonjësja e policisë, kur duhet në pamjet filmike. Nuk dua të hedh baltë mbi punën e askujt, por është bërë mbi bazën e akteve që nuk pasqyrojnë realitetin.

Eksperti Hako: Këqyrja e vendit të ngjarjes ka shumë mangësi. Një akt i ndërtuar mbi këto të dhëna do të ketë probleme, por është i ndërtuar mbi ato të dhëna që kishim. Si pikë referimi ne morëm përqendrimin më të madh të gëzhojave, por aty ka edhe gëzhoja të tjera. Unë nuk e di se çfarë soft-i ka kolegu, por ne nuk kemi bërë ndonjëherë këqyrje përmes pamjeve filmike. Nuk mund të flasim me saktësi për distancën në metra mes qitësit 1 dhe qitësit 2. Ne kemi vendosur maksimumin, 11 metër, por mund të jetë edhe më afër.