November 27, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

A po pritet Erdogan që të inagurohet xhamia e Namazgjasë? Përgjigjet nënkryetari i KMSH-së

Namazi i Fiter Bajramit u fal këtë mëngjes në sheshin “Skënderbej” nga besimtarët myslimanë, pas 30 ditëve agjërim që përkojnë me muajin e shenjtë të Ramazanit.

Ky është viti i disatë radhazi që besimtarët falen në sheshin qendror të Tiranës, edhe pse duket se në xhaminë e Namzgjasë pas 10 vitesh, punimet po arrijnë drejt fundit.

Objekti, ndër më të mëdhenjtë e kultit në kryeqytet ende nuk është hapur për besimtarët dhe nga Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka një datë për këtë.

I pyetur në “Ditari” i A2CNN se kur do të hapet xhamia e Namazgjasë, nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli u përgjigj: “Unë mendoj që sheshi është vendi më i bukur që ne mund të përjetojmë Bajramet me të gjithë ne”. Sipas tij sheshi “ka vend për të gjithë”.

Xhamia le të themi, shumë shpejt, shumë shpejt, akoma sot nuk kemi një datë të përfundimit total të punimeve aty, ndonëse kanë kaluar 10 vite nga hedhja e gur-themelit të kësaj xhamie. Absolutisht dëshira jonë ishte që ta hapej së ma parë dhe të mos zgjaste kaq shumë, por sot jemi përpara faktit që xhamia akoma nuk i ka hapur dyert për frekuentuesit dhe unë nuk mund të them dot që po shumë shpejt do ta kemi”, u shpreh Luli.

Pyetjes së ngritur shpesh, se a është duke u pritur një vizitë e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për të inauguruar xhaminë, Luli nuk i dha një përgjigje të qartë.

Por ai theksoi se të gjithë përgjegjësit, edhe ai vetë si nënkryetar i KMSH-së duhet të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të hapur xhaminë e Namazgjasë pas 10 vite të gjata punimesh.

Po ka qenë i pranishëm në fillimin e punimeve dhe unë kam qenë i pranishëm aty. E kemi hapur edhe me lexim Kurani, që e kam lexuar po unë. Shpresoj që ajo xhami të hapë dyert një orë e më parë dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësinë, duke filluar nga unë, që jam pjesë e institucionit të bëjmë detyrën tonë dhe ajo xhami tashmë t’i hapë dyert sepse ashtu i ka hije qytetit. Për ne një objekt që është shumë i bukur por nuk është funksional për besimtarët nuk ka rëndësi për ne, është më tepër një ndërtesë që thjesht zë vend dhe asgjë më tepër.