June 5, 2024
Bota

Kina i përgjigjet SHBA-së: Nuk pranojmë presion për lidhjet me Moskën

Kina është zotuar se nuk do të pranojë “kritika ose presion” për lidhjet e saj me Rusinë, pasi Uashingtoni paralajmëroi se do ta mbajë Pekinin përgjegjës nëse Moska arrin përfitime në Ukrainë.

“Kina dhe Rusia kanë të drejtë të angazhohen në një bashkëpunim normal ekonomik dhe tregtar”, u përgjigj zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, duke shtuar se ky lloj bashkëpunimi nuk duhet të pengohet dhe Kina nuk pranon kritika apo presion.

Pasi Pekini rinovoi premtimet e bashkëpunimit me Rusinë gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, zëvendëssekretari i shtetit, Kurt Campbell, i cili merret me riorganizimin e politikës së SHBA-së ndaj Azisë, tha se për SHBA-në, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Evropë është mision i rëndësishëm.

Me Moskën që rinovon ofensivën e saj në Ukrainë mes një bllokimi në Kongresin e SHBA-së për miratimin e më shumë armëve për Ukrainën, Campbell paralajmëroi se përfitimet territoriale ruse mund të “ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë në Evropë në mënyra që, janë të papranueshme”.

“Ne i kemi thënë drejtpërdrejt Kinës, nëse kjo vazhdon, do të ketë ndikim në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Ne nuk do të ulemi dhe të themi se gjithçka është në rregull”, tha Campbell.

Campbell po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me vizitën e Lavrov në Kinë të martën, ku presidenti Xi Jinping i tha atij se Pekini ishte gati të forconte koordinimin.

Campbell tha se administrata e Presidentit Joe Biden kishte paralajmëruar zyrtarët kinezë paraprakisht, që tregonte se presidenti rus Vladimir Putin do të urdhëronte një pushtim të Ukrainës në shkurt 2022.