September 11, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Pezullohen nga puna 4 zyrtarë në bashkinë e Korçës

Katër drejtues kryesorë të bashkisë së Korçës janë pezulluar nga puna me vendim të gjykatës së shkallës së parë të Korçës. Bëhet fjalë për 4 punonjës të drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Sektorit të Kontrollit të Zhvillimit të Territorit që merren me shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi.

Të pezulluarit nga detyra janë Zhaneta Lubonja, drejtore e planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të territorit, Ermal Gjermeni përgjegjës i këtij sektori pranë kësaj drejtorie, Olvas Petro, specialist i buxhetit me cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, si dhe Soniel Prifti, drejtor i drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore.

Tre të parët akuzohen për shpërdorim detyre ndërkohë që Prifti për moskallëzim krimi.

Gjykata e Korçës për të katërt, krahas pezullimit nga detyra ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim Paraqitjeje” pasi sipas akuzës, kanë llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën për ndërtimet dhe komplekset e luksit, lidhur me shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi pranë kësaj bashkie.

E thënë ndryshe, deklarata, leje zhvillimi, leje ndërtimi, deklarata paraprake, si dhe certifikata përdorimi të dhëna prej tyre.

Personat nën hetim, gjithnjë sipas akuzës, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe me qëllime përfitimi individual subjekte dhe individë të veçantë duke llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtime të reja dhe komplekse të luksit në lagjet 1,2,3,11,12 të qytetit të Korçës në masë të ulët sesa ajo që duhet të paguajë nga subjektet.