June 6, 2024
Politikë

Produktet e duhanit, Braçe dhe Gjonaj kërkojnë ndryshim të ligjit. Më pak akses e më shumë gjoba

Për të blerë apo shitur duhan dhe cigare, qofshin ato elektronike, apo shisha e nargjile, mund të mos jetë më kaq e lehtë. Një projektligj i propozuar nga deputetët Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, synon të disiplinojë tregtinë e këtyre produkteve.

Dy socialistët kërkojnë disa ndryshime në ligjin aktual, duke ndaluar reklamimin apo sponsorizimin në çdo formë për produktet e duhanit, për të vështirësuar sa më shumë aksesin tek to të personave nën 18 vjeç: “Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit, i cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën moshën 18 vjeç. Ndalohet ofrimi falas ose shitja e tyre me ofertë, i produkteve të duhanit, cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve, personave nën moshën 18 vjeç. Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç”.

Deri më tani, shitblerja e produkteve të duhanit mund të bëhet me lehtësi, ku nga cigaret e deri tek shishat i gjen në çdo market apo kioskë. Por, projektligji kërkon ta disiplinojë edhe këtë aspekt, duke mos lejuar shitblerjen në ambiente të caktuara: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve: a) në institucionet shëndetësore; b) në institucionet arsimore; c) në institucionet sportive; 9) në makinat shitëse automatike; d) me anë të vetëshërbimit; dh) në rrugë nga shitësit ambulantë; e) nëpërmjet shërbimit postar”.

Braçe dhe Gjonaj kërkojnë ndërhyrje edhe në Kodin Penal për të ashpërsuar ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Duke filluar nga gjoba e deri tek burgu për shitësit e produkteve të duhanit te personat e mitur: “Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rëndë i shëndetit te të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë vdekja e të miturit, dënimi është nga 8 deri në 16 vjet burgim”.

Në relacionin shoqërues, dy socialistët sqarojnë se ndryshimet ligjore që kërkohen prej tyre përafrojnë legjislacionin tonë me Bashkimin Evropian.