November 27, 2024
Politikë

“Emri im, i tribluar si top lecke”, Xhaçka për mandatin e saj: Ku thuhet që familjarët e deputetëve s’duhet të merren me biznes?

Me protesta të vazhdueshme nga opozita dhe me duartrokitje nga kolegët e saj socialistë, është ndjekur fjalimi i Olta Xhaçkës në seancën e sotme plenare.

Teksa theksoi se për çështjen e mandatit të saj është shprehur tashmë Gjykata Kushtetuese, ish-ministrja akuzoi deputetët e opozitës se e kanë “bërë mish për top” për interesat e tyre.

“Emri im është tribluar si top lecke…. Nuk mund të hesht sot për fajësinë që më është dhënë nga gjykata e shkallës zero. Askush nuk do të gjejë as edhe një fjalë time kundër organeve të drejtësisë…”

Xhaçka theksoi se bashkëshortit të saj nuk i është dhënë asnjë status ekskluziv, por vetëm ligjor. Sipas saj, bëhet fjalë për një “investim 100 për qind privat me dokumentacion transparent”, në jug të vendit dhe se ajo dhe familja e saj nuk kanë përfituar asnjë lehtësim procedurial apo ndonjë qindarkë nga fonde publike.

“…A lejohet potencialisht kur të kryhen kontrata që mund të mos ndodhë kurrë të vërë apo jo shezlonget në plazh. Për të drejtën plazhit për klientët e hotelit. Jo tani, por kur të realizohet investimi kur të lidhet kontrata që nuk është lidhur. Pra gjithë kjo zallamahi nëse duhet apo jo të vërë shezlonget në plazh kur investimi të ketë përfunduar. Deti dhe plazhet janë pasuri kombëtare të papërfituar nga askush. T’u thuash njerëzve që Olta Xhaçka u mori plazhin do të thotë të tallesh me ta,” tha ndër të tjera Xhaçka.

Kujtojmë se Kuvendi do të vendosë sot mbi çështjen e mandatit të deputetes socialiste, nëse do dërgohet apo jo për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësuan më herët gjatë ditës që çështja t’i kalonte seancës plenare.

Ndërkohë opozita në raportin e saj kërkon që çështja t’i kalojë gjykatës dhe të shpallet papajtueshmëria e mandatit të deputetit të Olta Xhaçkës.