October 2, 2024
Politikë

Pas Vuçiçit, Rama vizitë në Paris: Hapa konkretë për bashkëpunimin strategjik me Francën

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Paris, ku do të zhvillojë një takim zyrtar me presidentin Emmanuel Macron. Ai ka publikuar në Facebook pamjet e mbërritjes së tij, ku i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, kryeministri zbret nga avioni, ndërsa priten me një ceremoni zyrtare.

“Paris – Për një tjetër moment historik në politikën tonë të jashtme, vizitën dypalëshe nesër me Ceremonial Shtetëror, e para e këtij niveli në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Francës, ku do të hedhim hapa konkretë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit strategjik me Francën”, shkruan Rama.

Vizita zyrtare dyditore në Paris e Ramës është me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Ai do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara në promovimin e investimeve të huaja në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Mëngjesin e të premtes, Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës.

Të premten, në orën 12.30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron  me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.

Agjenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Kujtojmë se në fillim të kësaj jave, presidenti serb Aleksandër Vuçiç vizitoi Francën, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron dhe mori premtime pozitive për sa i përket interesimit serb për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale.