May 27, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Shqipëria i bashkohet garës së armatimeve, do të blihen sisteme antidron, anije luftarake dhe helikopterë

Sisteme antidron, anije luftarake, helikopterë e rijetësim të bazave ushtarake… Shqipëria i është bashkuar garës së madhe të armatimeve. Në një kohë që retorika e luftës është në kreshendo, vendi planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes ka hedhur në konsultim publik Strategjinë Ushtarake 2024-2033 në të cilën argumenton edhe arsyet që po shtyjnë drejt “rizgjimit të ushtrisë”. Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes madje ka përgatitur edhe planin e reagimit të Forcave të Armatosura në rast lufte. Procesi nis me përpjekjet për mbrojtjen e territorit dhe popullatës. Gjithashtu, në rast sulmi ndaj Shqipërisë planifikohet të aktivizohet mbrojtja kolektive e NATO, ndërsa vendi do të shërbejë si pritës dhe transit gjatë luftimeve.

“Në mjedisin e përkeqësuar të sigurisë globale, Republika e Shqipërisë, njerëzit dhe interesat tona përballen me një gamë të gjerë rreziqesh dhe kërcënimesh të mundësuara edhe nga teknologjia. Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës dhe përdorimi i forcës ushtarake pa kufizim, ka risjellë konfrontimet dhe kërcënimet konvencionale në Evropë me implikime të reja politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake dhe ndikimin të paparashikuar në sigurinë e brishtë të rajonit tonë.”

Bashkë me strategjinë, në konsultim publik është hedhur edhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033. Në drejtim të infrastrukturës, do të vijojë modernizimi i Bazës Ajrore në Kuçovë bashkë me rindërtimin e garnizoneve ushtarake “Zall-Herr”, “Ferraj”, “Pezë Helmës” Pajet, Bizë e Mnelë.

Gjithashtu, deri në vitit 2033 do të bëhet kompletimi i ushtrisë me helikopterë “BlackHawk” dhe dronë pa pilotë. Vendi planifikon të zhvillojë edhe sistemin anti-dron, i ngjashëm me sistemin “Iron Dome” të Izraelit.

“Strategjia Ushtarake synon zhvillimin e një force e cila të jetë e aftë për të përmbushur me cilësi misionin dhe detyrat, brenda dhe jashtë vendit, më vete apo me aleatët. Krahas forcës aktive do të zhvillohet komponenti rezervist/vullnetar, i integruar dhe në harmoni me strukturën, kapacitetet dhe nevojat e FARSH-it.” 

Ministria e Mbrojtjes planifikon që deri në vitit 2033, në radhët e ushtrisë shqiptare të shërbejnë mbi 9 mijë e 500 vetë nga rreth 6 mijë e 500 aktualisht.

Për të arrirë të gjitha këto objektiva, në vitin 2033 buxheti në dispozicion për mbrojtjen do të rritet në gati 74 miliardë lekë nga më pak se 49 miliardë aktualisht.