November 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

“Duan të demonizojnë serbët”, Vuçiç sfidon perëndimin: Nuk na rrëzoni dhe shantazhoni dot

Një luftë ndaj popullit serb. Kështu u përpoqën t’i pasqyronin përpjekjet në OKB për të miratuar një rezolutë kundër gjenocidit në Srebrenicë, dy aleatët e ngushtë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe lideri i Republikës Serbska në Bosnjë-Hercegocvinë, Milorad Dodik. Gjatë një vizite në Serbi, ky i fundit tha se gjenocidi nuk kishte ndodhur dhe se kjo ishte një shpikje për të demonizuar popullin serb dhe për të transferuar tek ai përgjegjësinë kolektive. I po të njëjtës linjë ishte edhe Vuçiç, i cili tha se do të kërkonte nga OKB-ja të shqyrtonte të gjitha procedurat.

“Nuk do ta rrëzojnë dot popullin serb”, premtoi Vuçiç, që u duk se bëri thirrje për një bashkim të serbëve për t’iu kundërvënë atyre që i sheh si padrejtësi.

“Rezolutat për gjenocidin apo holokaustin janë miratuar gjithmonë në mënyrë unanime. A mendoni se edhe kjo për Srebrenicën do të miratohet njëzëri? Republika Serbska nuk është pjesë e OKB-së, madje ajo nuk dëgjohet as në Bosnjë-Hercegovinë. Ato ditë do të ftojmë të gjithë serbët kudo, në çdo vend, që të nxjerrin në pah veçoritë tona kombëtare. Kur të na shpallin komb gjenocidial, ne do të tregojmë trengjyrëshin tonë të bukur dhe se nuk do të jenë në gjendje të na rrëzojnë kurrë”, tha Vuçiç.

Në një sfidë të hapur ndaj perëndimit, presidenti Vuçiç tha gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin e saj për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Pasi u pyet nëse Macron kishte vendosur kusht vënien e sanksioneve apo diçka tjetër për sigurimin e avionëve Rafal, Vuçiç tha se qëndrimi serb nuk ndryshonte dhe se askush nuk mund ta shantazhojë.