Muaji prill e ka përballur monedhën europiane në një nivel të ri minimal për vitin 2024 në raport me lekun vendas. 101.31 lekë po këmbehet në tregun valutor duke shënuar një rënie të mëtejshme në 24 orët e fundit.
Është rekordi i flukseve hyrëse të turistëve në 3 muajt e parë të vitit, informaliteti por dhe rritja e investimeve të huaja, ndër faktorët kryesor që po e zhvlerëson më tej euron.
“Janë një sërë faktorësh kontributor, turizmi nga njëra anë, flukset ndikojnë duke qenë se pritshëmritë janë më të larta. Njëkohësisht dominimi i ekonomisë nga kjo monedhë sidomos në sektorin e ndërtimit real estate etj..”, tha eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Krahasuar me prill 2023, monedha europiane është zhvlerësuar me 11.7 lekë. Por nëse një vit më parë nivelet e ulëta të euros regjistroheshin më së shumti gjatë kthimit të emigrantëve për festat, ky nivel është regjistruar tashmë në fillim të prillit.
“Çfarë është shqetësuese në këtë rast është momenti i rënies. Vjet e pamë për herë të fundit gjatë ardhjes së emigrantëve në dhjetor. Këtë vit e pamë në hyrje të prillit ndërkohë që sezoni turistik kulmi është në korrik gusht. Duke parë dhe pamundësitë e Bankës për të ndërhyrë, mund ta çojë këtë nivel edhe në 1 euro me 100 lekë.”
Përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka kryer dy ndërhyrje në treg nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, me qëllim për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor të cilat në total arritën në 249 milionë euro. Ndërsa për 2024 ky parashikim arrin në 250-330 milionë euro.
“Ky është një instrument për të dalë një moment nga situata. Për ta zgjidhur fenomenin duhen parë shkaktarët, vlerat ekzakte dhe bashkërendimin me institucionet fiskale për një strategji të caktuar.”
Ndërhyrjet e Bankës Qendrore në tregun valutor janë rritur ndjeshëm që pas fillimit të pandemisë.