November 27, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Ndërhyrja në TIMS, ish-shefi i IT në Policinë e Shtetit paraqitet në Gjykatën e Tiranës

Ish-shefi i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Muça në një prononcim të shkurtët për gazetarët para hyrjes në gjykatë, ka mohuar akuzat ndaj tij.

Është e gjitha një spekulim mediatik. Unë deklarohem i pafajshëm. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Kam zbatuar vetëm detyrën. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj”, tha ai.

Prokuroria e Tiranës pas hetimeve për ndërhyrjet në sistemin TIMS kërkoi aplikimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Muçën, por edhe pezullimin e tij nga detyra.

Ish-shefi i IT akuzohet për eksportimin e të dhënave të sistemit TIMS, një vepër penale e parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal si “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Hetimi për këtë çështja ka nisur nga një referim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se Muça në datën 2 Gusht të vitit të kaluar në orët e vona të natës ka eksportuar në një hard-disk të jashtëm të dhënat sensitive të sistemit TIMS.

Ndërhyrjet në TIMS shqetësuan dhe ambasadën e SHBA, ku i ngarkuari me punë McDowell gjatë një takimi në Gusht me ministrin Balla kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm të çështjes.