Arrestohen katër persona në Durrës ku dy prej tyre ishin të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Mësohet se një 47-vjeçar dhe një 30-vjeçar të dy në kërkim janë arrestuar për veprat penale shpërdorimi i kompetencave, kanosja dhe dëmtime me dashje.
Ndërkohë dy persona të tjerë janë arrestuar në flagrancë për veprat penale hedhja e inerteve në vijën bregdetare dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur. Me rastet do të merret Prokuroria e Durrësit.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Vihen në pranga 4 shtetas, 2 prej tyre në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ndaluan shtetasin në kërkim B. M., 47 vjeç, banues në Arapaj, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Shpërdorimi i kompetencave”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. Sh., 49 vjeç, banues në lagjen nr. 7 Durrës, pasi ka hedhur inerte në vijën bregdetare, në lagjen nr. 1, Durrës.
Gjithashtu, nga këta specialistë u kap dhe u ndalua shtetasi Sh. D., 30 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin N. Ç., 61 vjeç, banues në Durrës, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.