Shqiptarët që kanë qenë në atdhe për arsye pune, shkolle ose turizmi janë kthyer shëndoshë e mirë në Izrael. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Ai ka njoftuar se evakuimi ka nisur që prej mbrëmjes së të shtunës, që korrespondon në sulmin e Iranit ndaj Izraelit.
Në total kanë qenë 15, e ndërsa po punohet edhe për sjelljen në atdhe të 2 të tjerëve, të cilët nuk iu përgjigjën autoriteteve në kohën kur avioni po nisej drejt vendit tonë.
“Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndoshë e mirë. Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës. Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës.
Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe. Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira”, tha Hasani.