September 11, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Dënimi i Alfred Belerit, gjykata zbardh vendimin. Përgjimi që “fundosi” fituesin e Himarës

Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin e arsyetuar me të cilin mbylli për 2 vjet pas hekurave Alfred Belerin, si fajtor për “korrupsion në zgjedhje”.

Në vendimin prej 90 faqesh, të siguruar nga A2 CNN, treshja gjykuese arsyeton se Alfred Beleri dhe i bashkëpandehuri i tij Pandeli Kokaveshi e kanë konsumuar veprën penale mes veprimeve të kundërligjshme në dy forma, me anë të ofrimit dhe dhënies së të hollave për zgjedhësin, ose për persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim që ai të votojë në një mënyrë të caktuar.

Sipas gjykatës, rezultonte e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se Dhionisis Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do t’i gjente si votues të tij për kryebashkiak të Himarës dhe për shërbimin një shpërblim prej 300 eurosh. Mes provave të vlerësuara është ky përgjim ambiental, ku Alfred Beleri i thotë të infiltruarit “do të të jap, do të jap… nga 50 euro. Orea!” dhe pasi merr një “po” nga bashkëbisduesi shton “po panë në kuti ke dhe ti 300 euro”.

Sipas gjykatës, shumën monetare 40 mijë lekë për 8 vota, Beleri ia ka dhënë Arsen Ramës përmes të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili u la në 3 vjet shërbim prove. Në vendimin e arsyetuar gjykata rrëzon të gjitha pretendimet e ngritura nga mbrojtja e Belerit për shkelje të procedurës nga SPAK.

“Gjykata çmon se marrja e provave dhe fiksimi i tyre në aktet proceduriale është kryer në respektim të plotë të ligjit. Provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk janë të dyshimta, të pakonfirmuara dhe kontradiktore, por ato janë të lidhura në sinkron me njëra-tjetrën”, thuhej në vendim.

Gjykata vlerëson si të pabaza pretendimet e ngritura nga avokatët për përgjimet, apo edhe faktin se Arsen Rama nuk ndodhej në Himarë ditën kur është përgjuar me Alfred Belerin dhe marrë shumën e parave nga Pandeli Kokaveshi.