November 27, 2024
Kosova Lajmi i fundit

Hakmarrja me “pengmarrje” e Vuçiç, Kosova apel qytetarëve: Shmangni me çdo kusht kalimin në Serbi!

Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme në Kosovë, kanë lëshuar një apel urgjent për të gjithë qytetarët, për shkak të hakmarrjes së Beogradit pas votës pro në Asamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi”, lexohet në një njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se qeveria po ndërmerr veprimet e nevojshme për të bërë të mundur zhbllokimin e mbi 300 qytetarëve që janë ndaluar nga policia serbe në kufirin me Kroacinë. Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd, Fatmir Haxholli, njoftoi më herët se Serbia ka nisur fazën e hakmarrjes ndaj Kosovës, duke mbajtur të bllokuar qytetarët e Kosovës vetëm me njoftimin se është urdhër nga Beogradi.

“Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ky është një urdhër nga Beogradi”, njoftoi sekretari i zyrës ndërlidhëse. Zyrtari i qeverisë së Kosovës nënvizon se mbi 300 qytetarëve po u mbahen pasaportat dhe dokumentacioni i udhëtimit, që përbën një shkelje flagrante, jo vetëm të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave të njeriut.