September 11, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Kryeprokurori Çela: Gjatë 2023, u përgjuan 2492 subjekte! Kemi mungesë prokurorësh!

Kryeprokurori Olsian Çela gjatë raportimit para  Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka bërë me dije se janë përgjuar nga prokuroria 2492 persona, në kuadër të hetimeve paraprake.

“Gjatë vitit 2023 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 514 procedime penale. Është realizuar përgjimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit”, tha Çela.

Ai vuri theksin gjithashtu edhe te mungesa e prokurorëve.

“Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: – 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike).’- tha Çela.