June 5, 2024
Kosova Lajmi i fundit

Shantazhonin gratë dhe vajzat në rrjetet sociale, arrestohet një prej administratorëve të një grupi në “Telegram”

Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se me urdhër të saj është arrestuar një person, i cili dyshohet të jetë një prej administratorëve të grupit në Telegram të emërtuar “Albkings”.

“Është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në këtë grup shpërndaheshin fotografi dhe video të ndryshme intime të grave dhe vajzave shqiptare. Grupi “Albkings” ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik, ndërsa shumë gra dhe vajza kanë rënë pre e shantazheve me anë të videove dhe fotove intime.

Ky grup shantazhi numëronte mbi 100 mijë anëtarë. Të mërkurën, Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave “të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup”.