Putini po i çon ushtarët e tij në Ukrainë si kafshët në thertore. Kështu shkruan media britanike BBC, që zbulon se ushtria e Rusisë ka humbur mbi 50 mijë trupa në betejën përballë forcave të Kievit. Në 12 muajt e dytë në front, teksa Moska çon përpara atë që quhet strategji e kasaphanës, BBC ka zbuluar se bilanci i të vrarëve ishte 25 për qind më i lartë se vitin e parë.
Media britanike thotë se shifra reale të ushtarëve rusë të vrarë nga ukrainasit është shumë herë më i lartë, me Kievin që thekson se shkon mbi 400 mijë. Moska nuk ka dashur të komentojë këtë raportim. Shifrat tragjike nuk e ndalin luftën. Disa shpërthime janë raportuar në afërsi të një aeroporti ushtarak të Rusisë në Krimenë e aneksuar.
Nga ana tjetër, forcat e Putinit kanë kryer më shumë se 35 sulme në orët e fundit në një rajon të vetëm, atë Sumy. Një tjetër bombardim në Chernihiv, la të paktën 10 civilë të vdekur dhe dhjetra të tjerë të plagosur. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ngre flamurin e alarmit duke bërë të ditur se po i mbarojnë municionet.
“Na kanë mbaruar raketat për të mbrojtur Trypillya, afër Kievit. Kur dikush thotë se aleatët tanë nuk mund të na furnizojnë ne me këtë apo atë armë, apo nuk mund të jenë në Ukrainë me këtë apo atë forcë, pasi do të merrej sikur Ukraina po fut NATO-n në luftë, unë dua tu bëj vetëm një pyetje, a është Izraeli pjesë e NATO-s, apo jo? Përgjigja është kjo, Izraeli nuk është një vend i NATO-s, por aleatët dhe vendet e NATO e kanë mbrojtur atë.”, thotë Zelensky.
Ndërkohë, Kina ka nisur të flasë për një plan për ndalimin e luftës, teksa thekson se duhet ende shumë punë përpara se të krijohen kushtet për të zhvilluar konferencën e paqes për Ukrainën, të programuar në Zvicër.
Sakaq, Rusia reagoi ftohtë ndaj thirrjes së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për një armëpushim ndërkombëtar të konflikteve gjatë lojërave olimpike të Parisit. Kremlini pretendon se Ukraina do ta përdorë këtë si një mundësi për të rigrupuar forcat dhe për të marrë armatime të rënda.