November 27, 2024
Politikë

Sulmet e Metës, SHBA, BE e Britani njëzëri: Të papranueshme deklaratat kundër SPAK

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar ndaj sulmeve që janë bërë në drejtim të Altin Dumani nga Ilir Meta. Në një reagim në mediat sociale, delegacioni i BE i konsideron të papranueshme deklaratat kundër kreut të SPAK.

 

“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratë.

 

Edhe trupi diplomatik i Britanisë së Madhe ka dënuar sulmet ndaj Dumanit. Ambasadori King-Smith përsëriti mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë dhe përpjekjet për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Më herët gjatë paradites reagoi edhe ambasada e SHBA në Tiranë.

 

Në një reagim në mediat sociale ambasada thekson se “SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.