May 13, 2024
Tirana, Albania
Kosova Lajmi i fundit

Bllokimi i autobusëve nga Serbia, Sveçla: Mbi një mijë qytetarë janë ndaluar! Ata janë keqtrajtuar dhe janë marrë në pyetje në lidhje me UÇK-në

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka folur për ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga Serbia gjatë ditës së djeshme në pikat kufitare Serbi-Kroaci dhe Serbi-Hungari. Sveçla tha se janë duke  u ndjekur të gjitha zhvillimet dhe janë angazhuar të përcjellin me kujdes çdo provokim dhe veprime për destabilizim nga Serbia.

“Pas paralajmërimeve direkete të bëra nga Vuçiq, u pa edhe urdhri i tij për veprime të menjëhershme në terren. Ndalimi është bërë me urdhër nga lart, pra direkt nga Vuçiq që tregon se Serbia është shtetet diktatorial”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla shtoi se ngjarjet dje janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe përbëjnë kërcënim të madh për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ai u shpreh se qytetarët janë keqtrajtuar si dhe janë marrë në pyetjë në lidhje me UÇK-në dhe për pjesëmarrjen e tyre personale në UÇK.

“Precedent i rrezikshëm dhe jo vetëm se duhet të dënohet ashpër por nuk duhet as të tolerohet. Sipas informatave tona dje së paku 1 mijë e 498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar dhe arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyte personalisht ose të familjarëve në UÇK si dhe veprimtarinë e tyre gjatë viteve 1998-1999”, tha Sveçla.

Sveçla shtoi se qytetarëve u janë marrë dokumentet personale duke i lënë pamundësinë pa lëvizur.

“Janë provokuar fizikisht dhe verbalisht nga autoritetet serbe, kjo ka shkaktuar frikë të madhe tek të gjithë veçanërisht tek fëmijët. Përveç presionit psikologjik kanë pasur mungesë të ushqimit, ujit dhe barnave”, tha ministri.