November 27, 2024
Aktualitet Kronikë

Mori djalin pas disa ditësh rrëmbimi, flet nëna 23-vjeçare në Durrës: E kam përjetuar shumë keq

Nëna 23-vjeçare, Ile Gjuni e cila më në fund është bashkuar me djalin e saj pas më shumë se një jave, ka deklaruar se e ka përjetuar shumë keq këtë periudhë. 3-vjeçari u rrëmbye nga gjyshërit e tij nga ana e babait dhe vetëm sot, gjyshja Barie Gjuni vendosi që t’ia dorëzonte në polici. Me lot në sy Ile ka deklaruar se tashmë 3-vjeçari është në duar të sigurta.

 

“Djali është shumë mirë, në duar të sigurta. Nuk e di se ku e kanë mbajtur. E kam përjetuar shumë keq. Faleminderit të gjithëve, policisë së Durrësit dhe mediave”, tha ajo.

 

 

Barie Gjuni, gjyshja e cila rreth 1 javë më parë rrëmbeu nipin dhe u zhduk, ka dorëzuar 3-vjeçarin ditën e sotme në Prokurorinë e Durrësit. I mituri është bashkuar me të emën e tij, e cila ishte ajo që ngriti alarmin për zhdukjen e fëmijës. Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrembimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij

 

Nëna e fëmijës bëri denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.

 

Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit. Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës.