Shqiprim Arifi është shkarkuar nga pozita e kryetarit të Preshevës. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai, duke theksuar se këtë e ka bërë pushteti autoritar i Beogradit. Arifi ka thënë se ky regjim tashmë ka instaluar një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviçit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Arifi.
Arifi është shprehur se shkarkimi i tij nga kjo pozitë ka ndodhur 24 orë pasi u dënua nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor.
“Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjend e pandërprerë e politikave të Vuçiçit dhe Serbisë së tij pro-ruse”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar se kjo nuk mund të ishte realizuar pa ndihmën e pakursyer të siç i quajti ai, “shqipfolësve serbofil” siç janë: Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Argjend Sherifi.
“Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiqin dhe serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”, është shprehur Arifi.