October 2, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

U gjet i vdekur i mbështjellë me letër alumini në pyll, zbardhet identiteti i autorëve që vranë 27-vjeçarin shqiptar në Gjermani (FOTOT+EMRAT)

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 27-vjeçarit nga Burreli, Alonso Hysneli alias Reols Hysneli i cili humbi jetën në nëntor të vitit 2023. Sipas raportimit të medias turke, Sabah në lidhje më këtë vrasje ka nisur hetimi ndaj dy turqve.

 

Hysneli u gjet i pajetë i mbështjellë me letër alumini në një pyll në Hamburgut të Gjermanisë më 25 nëntor 2023, pasi u ekzekutua me një plumb të vetëm në kokë. Vrasja dyshohet se u regjistrua për shkak të një mosmarrëveshje droge ndërsa policia gjeti emrat e vrasësve të dyshuar të Hysnelit, Selami C. dhe Ferhat K. Emra të cilat u zbuluan pas hetimeve policiore duke gjurmuar letrën e aluminit që kishin blerë.

Ekzekutimi i tmerrshëm u zbulua nga një çift që po bënin një shëtitje në zonën pyjore ku ndodhen burimet termale në qytetin Kaltenkirchen, 27 kilometra larg Hamburgut. Çifti, i cili ka parë një person të shtrirë në tokë me një pjesë të madhe të trupit të mbështjellë me letër alumini, ka njoftuar menjëherë policinë. Pas njoftimit, në vendngjarje janë nisur shumë efektivë të policisë. Policia konstatoi se i riu, i cili u ekzekutua me një plumb të vetëm, ishte mbështjellë me letër alumini pasi u vra për të mos lejuar përhapjen e gjakut përreth dhe më pas u transportua në zonë me automjet.

 

Si rezultat i verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, u zbulua se kufoma i përkiste Reols Hysnelit, shtetas shqiptar i burgosur për trafik droge në Lubeck në vitin 2023. Në vendngjarje u gjet një fletë shitjeje e letrës së aluminit me të cilën ishte mbështjellë Reols Hysneli. Pavarësisht kontrollit të rreth 100 policëve në tokë, arma nuk u gjet. Ndërsa trupi i Hysnelit u dërgua në Morgun e Mjekësisë Ligjore për obduksion, dy ditë pas ngjarjes, shtetasi shqiptar Qerim D., 17 vjeç, me origjinë nga Kukësi por me banim në Lushnje, i cili nuk fliste gjermanisht, shkoi në Komisariatin e Policisë Pinneberg me avokatin e tij dhe rrëfeu se kishte vrarë një person.

 

Fakti që 17-vjeçari Querim D. heshti për detajet e krimit dhe se avokati i tij ishte i njëjtë me avokatin e Ilber, Edmond dhe Ernest Domit, drejtuesit e grupit “Vëllezërit Domi”, i cili menaxhon një pjesë e trafikut të drogës në Gjermani, bëri që policia të thellojë hetimet.

 

Policia konstatoi se fatura e letrës së aluminit të sekuestruar në vendngjarje i përkiste një dyqani që shiste materiale ndërtimi në Uetersen dhe nga pamjet e kamerave të dyqanit mori informacion se Ferhat K. dhe Selami C. kishin blerë letër alumini. Në bazë të informacionit që ka marrë, policia ka bastisur një shtëpi nargjileje të mbyllur në rrugën “Großer Sand”, ku kanë hyrë për herë të fundit Ferhat K. dhe Selami C. Gjurmët e vrasjes janë gjetur në katin e sipërm të pallatit. Ndërsa u konstatua se salla ishte e mbuluar me gjak, në dhoma të tjera u zbuluan pajisje të përdorura për kultivimin e kanabisit.

 

Policia sekuestroi nga shtëpia 120 rrënjë kanabis. Me gjithë përpjekjet, Ferhat K. dhe Selami C. nuk u arritën dot. Është konstatuar se Ferhat K. dhe Selami C janë arratisur në Turqi menjëherë pas vrasjes. Sabah gjeti fotografi të Selami C. të marra në Ortaköy më 10 prill. U zbulua se Selami C i kishte zgjatur flokët dhe përdorte syze për të mos u njohur.