November 27, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Djali i Tom Doshit shkakton aksident dhe favorizohet nga policia, e pëson shefi i rrugores në Lezhë, nën hetim struktura drejtuese e komisariatit

Gjykata e Lezhës ka nisur hetimet lidhur me një aksident të ndodhur pak javë më parë në aksin Lezhë-Laç, pranë fshatit Gajush. Në aksident është djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, i cili ka përplasur një makinë ku lëviznin një çift bashkëshortësh.

Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të largohet nga vendi i aksidentit. Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre”.

Pas nisjes së hetimeve është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula, ndërsa prokuroria po heton edhe drejtuesit e Policisë së Lezhës për të parë se nga kush është dhënë urdhri për të mos kryer veprimet ndaj Doshit.

Në funksion të këtij hetimi, organi i akuzës pritet të zbardh tabulatet telefonike mes drejtuesve dhe oficerëve të policisë për të zbardhur rolin dhe veprimet e tyre për këtë çështje, e më pas do të vendoset nëse çështja do t’i kalojë për kompetencë SPAK, apo do të mbetet në Lezhë.