October 9, 2024
Bota Lajmi i fundit

Do vriste kryeministrin dhe princeshën e Holandës, Spanja liron aksidentalisht bosin e drogës

Autoritetet europiane janë vendosur në alarm, pasi një trafikant i njohur droge, i cili kishte planifikuar të ekzekutonte trashëgimtarin e fronit në Holandë dhe kryeministrin e vendit, Mark Rutte, është liruar gabimisht nga burgu në Spanjë.

Politico raporton se pas një “konfuzioni gjyqësor”, Madridi ka liruar kreun e rrezikshëm të kartelit “Mocro Mafia”, Karim Bouyakhrichan, i cili u arrestua në Marbella, janarin e kaluar, gjatë një megaoperacioni kundër pastrimit të parave.

Në vitin 2022, Karim Bouyakhrichan po planifikonte të rrëmbente ose të vriste trashëgimtaren e fronit, princeshën holandeze Amalia. Asokohe ajo u detyrua të braktiste rezidencën studentore dhe të kthehej në pallatin mbretëror, pasi policia mori prova të besueshme për planin e kartelit të drogës.

Kur autoritetet holandeze mësuan për arrestimin e tij, ata paraqitën një kërkesë ekstradimi në Gjykatën Kombëtare të Spanjës, duke kërkuar që Karim të përballej me drejtësinë në Holandë, ku akuzohet për trafik droge.

Në kërkesën e autoriteteve holandeze theksohej se bosi i kartelit ishte një nga më të rrezikshmit në listën e kriminelëve të kërkuar të Interpolit. Ai kërkohej për rolin e tij në një luftë për territoret e drogës në Europë, e cila zgjati dhjetë vjet, ku dhjetëra njerëz vdiqën në Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Marok.

Gjykata Kombëtare e Madridit urdhëroi ekstradimin e trafikantit famëkeq të drogës në Holandë, por gjykata e Qarkut në Malaga, e cila ka juridiksion mbi zonën ku u arrestua Karim Bouyakhrichan, refuzoi të plotësonte kërkesën, duke argumentuar se mbreti i drogës duhej të përballej me akuzat e pastrimit të parave në Spanjë përpara se të ekstradohej në një vend tjetër.

Rrjeti radifonoik spanjoll, ‘Cadena SER’, zbuloi sot se megjithëse Gjykata Kombëtare e Spanjës pranoi kërkesën e holandezëve, ajo neglizhoi të lëshonte një urdhër arresti që do të siguronte që Karim Bouyakhrichan të qëndronte pas hekurave deri në ekstradim.

Kur çështja e pastrimit të parave u shqyrtua për herë të parë në gjykatën provinciale të Malagas muajin e kaluar, kreu i trupit gjykues ra dakord të lirojë liderin e bandës me kusht prej 50,000 euro. Për Karim Bouyakhrichan, i cili ka llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme në mbarë botën, nuk ishte aspak e vështirë të gjente paratë për të fituar lirinë me kusht dhe sapo la qelinë, ai u zhduk nga qyteti dhe nga ajo kohë autoritetet nuk e kanë gjetur më.