May 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Ekzekutimi i Bejtjas, prokuroria dyshon se u porosit nga Dubai, ekzekutorët nga Vlora

Prokuroria ka kërkuar informacione nga partnerët ndërkombëtarë, lidhur me ekzekutimin e Gentian Bejtjas. Kjo pasi informacionet e mbërritura kanë shkuar deri në Dubai, aty ku dhe dyshohet se është dhënë porosia për ekzekutimin e tij.

 

Hetimet për vrasjen e Gentian Bejtjes, marsin e këtij viti, në Larushk të Fushë Krujës kane ngecur në Dubai, ndërsa të gjitha informacionet të çojnë drejt Emirateve të Bashkuara, lidhur me porosinë për ekzekutimin e tij.

 

Të dhënat e mbërritura, por edhe mosgjetja e disa personave me rëndësi për hetimin për t’i marrë në pyetje kanë ngritur dyshime te prokuroria, për të cilat është kërkuar dhe informacion nga partnerët.

Dy të arrestuarit e policisë, mendohet se kanë qenë transportuesit e të paktën tre ekzekutorëve për të cilët prokuroria dyshon se vijnë nga qyteti i Vlorës. Ndonëse deri në këtë fazë hetuesit tregohen të rezervuar mbi informacionet e mbërritura, puna është shtrirë dhe në Vlorë, lidhur me gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarve.

 

Pesë ditë pas vrasjes, policia prangosi Edison Haxhiun dhe një 41-vjeçar me tre emra, Ilir Beqaraj. Dy të arrestuarit, rezultojnë të dënuar më parë për vepra të tjera kriminale.

 

Policia arriti që të zbardhte lëvizjen e tyre pas djegies së makinës fuoristradë, ku u gjetën dhe tre kallashnikovë. Ilir Beqaraj edhe pse dyshohet se është një nga autorët që mori pjesë në ekzekutim, ai nuk pranoi të kishte lidhje me vrasjen. Fillimisht, Haxhiu dhe Beqaraj thanë se makina e tyre tip golf kishte gjurmues GPS dhe se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por pas verifikimeve rezultoi se ajo kishte qenë fare pranë vendit ku u vra Gentjan Bejtja.

 

43-vjeçari ka qenë objektiv dhe i tre atentateve të tjera, por që u kishte shpëtuar plumbave dhe eksplozivit. Një vit më parë, po me një automjet tip Golf, tre persona e ndoqën deri në afërsi të shtëpisë, por qëlluan për vdekje kunatin Ramazan Sino dhe plagosën dy djemtë e Bejtjes 10 dhe 13 vjeç. Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur me 3 korrik u arrestua Valter Bami, vëllai i Durim Bamit.

 

Në atë kohë në duart e 37-vjeçarit pas ekspertimit kimik rezultoi se në duart e tij kishte gjurmë baruti, por as kjo nuk mjaftoi për ta mbajtur atë në burg. Pas ekzekutimit të Bejtjas, më 15 mars të këtij viti, policia u rikthye për ta pyetur Valter Bamin, por nuk e gjeti më.

 

Për Policinë e Shtetit, 43-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar si i përfshirë edhe në vjedhjen e automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj. Pas serisë së atentateve, ai kërkoi azil në Norvegji e Suedi, por kërkesat e tij i ishin refuzuar.