May 27, 2024
Politikë

Komisioni për Sterilizimin, PS kërkon hetim nga 2009: Të pyeten ish-ministrat e Berishës

Është publikuar draft-plani i hetimeve të ekspertëve, që Partia Socialiste ka propozuar në Komisionin Hetimor për kontratat në shëndetësi, së bashku me kalendarin e punimeve.

Socialistët kanë surprizuar jo pak teksa me këtë draft kërkojnë që hetimi të shtrihet edhe gjatë periudhës së qeverisë Berisha.

Hetimi do të shtrihet përgjatë periudhës kohore 2009 – 2014 që konsiderohet si periudha para fillimit të procedurës koncesionare, përgjatë periudhës kohore 2014 – 2015 që do të konsiderohet si periudha e zhvillimit dhe finalizimit të procedurës së dhënies me koncesion, dhe përgjatë periudhës kohore 2015 – 2023 që do të konsiderohet si periudha e zbatimit të kontratës koncesionare”, thuhet në draft.

Më tej nënvizohet se duhet të zhvillohen seanca dëgjimore me dëshmitarë të gjithë Ministrat e Shëndetësisë që nga 1 dhjetor i vitit 2006, kohë kur vendin e drejtonte kabineti Berisha 1 dhe deri më sot.

Sipas draftit të PS, duhet të zhvillohen seanca dëgjimore me 6 ish-ministra të qeverisë Berisha, ndër ta Maksim Cikuli, kreu i Demokristianëve Nard Ndoka dhe ish-përfaqësuesja e Partisë Republikane, Anila Godo.

Në sitë do të kalojnë edhe dy ish-deputetë të LSI që kanë drejtuar dikasterin. Petrit Vasili, i cili e ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë përgjatë viteve 2009 – 2012, kohë kur nisën përgatitjet për koncesionin, por edhe Vangjel Tavo që ka qëndruar në detyrë deri në prill të vitit 2013, kur u pasua nga Halim Kosova.

Më pas në shtator 2013  e deri në mars 2017, ministria u drejtua nga Ilir Beqaj, një ndër të akuzuarit kryesor të dosjes së Sterilizimit, që po hetohet nga SPAK.

Po ashtu PS kërkon që seanca dëgjimore të zhvillohen edhe me të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009, kohë kur është lidhur kontrata koncesionare, për të evidentuar se çfarë përpjekjesh janë bërë për t’i vënë në punë pajisjet e centralit të sterilizimit dhe çfarë pengesash janë hasur.

Hetimi do të shtrihet në veprimtarinë dhe dokumentacionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave, të gjitha spitalet ku zbatohet kontrata koncesionare, Kuvendit të Shqipërisë, APP, KLSH dhe Avokatit të Shtetit. Seanca dëgjimi do të zhvillohen edhe me profesorë apo ish-profesorë në pension të QSUT.