Kryeministri Edi Rama përdori etiketime të ashpra kur iu referua sot emisionit investigativ “Report” të “Rai 3” ku u trajtuan marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, por edhe çështje të krimit dhe korrupsionit në vend. Akuzave të Ramës u është përgjigjur drejtuesi i emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, i cili në një reagim në profilin e tij në Facebook thotë se të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë. Ai shton se në këtë puntatë do të transmetohen edhe përgjigjet e Agaçit që sipas tij konfirmojnë se ka qenë avokat i narkotrafikantëve. Por, mesa duket, teksa ka parë interesin në rritje, ‘Rai’ e ka publikuar letrën e Engjell Agaçit që mban datën 5 prill.
Aty përmendet roli i Agaçit në dhurimin e një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë në bregdetin e Vlorës nga narkotrafikanti Artur Shehu për gjeneralin në pension të Interpolit, Fabrizio Lisi. Ky i fundit pranoi në emisionin “Report” se ishte Agaçi që ia prezantoi Shehun dhe se ai nuk kishte dijeni për të shkuarën e tij. I pyetur për këtë, Agaçi jep një tjetër version.
Më datë 31.03.2012, si Jurist, mora përsipër një detyrë formale nga Gjykata e Triestes, në emër të Kuratorit të atëhershëm, për të ndjekur ngjarjet dokumentare dhe materiale të Amanetit të Vërtetë të të ndjerit Z. Salvatore Eftimiadi. E kam ndërprerë veprimtarinë në fjalë pasi kam marrë funksionin institucional të sipërpërmendur dhe ia kam komunikuar kuratorit fillimisht verbalisht dhe më pas komunikuar zyrtarisht edhe nga Studio Juridike, pjesë e së cilës kam qenë…
Ju sjell në vëmendje se legjislacioni italian dhe ai europian për mbrojtjen e të dhënave personale më pengon të zbuloj emrat e ish-klientëve të mi, përveç me pëlqimin e tyre. Në çdo rast, është e drejta dhe e drejta juaj të keni akses në dosjet e gjykatave vendore për kontrollet e nevojshme. Por, mund të përjashtoj absolutisht që mbiemri i fundit të ketë qenë një ish-klient i imi”, thotë Agaçi.