Tirana ka më në fund të hedhura online të dhënat e kombinuara të transportit publik në Google Maps të cilat gjenerojnë sipas kërkesës së gjithësecilit cilat linja do të përdorë në funksion të destinacionit.
Kjo pritet që t’iu vijnë në ndihmë kryesisht turistëve por jo vetëm, duke shmangur kështu amullinë që shkaktonte mungesa e këtyre të dhënave online. Konkretisht sot nëse dikush ndodhet tek Komuna e Parisit dhe kërkon të shkojë në zonën e Freskut sistemi i Google Maps i gjeneron katër alternativa.
E para të udhëzon që të drejtohesh në këmbë deri tek shkolla “Petro Nini” dhe më pas të marrësh linjën 2, që kalon në disa stacione si Libri Univristar, Rektorati, Piramida dhe zbritja tek 9-katëshet. Nga këtu të udhëzon të ecësh për 2 minuta, për të shkuar tek Biblioteka, ku duhet të marrësh linjën 11 apo Kinostudion dhe të përshkosh disa stacione që nisin nga Pazari i Ri dhe mbyllet me stacionin e fundit tek kabinat elektrike. Nëse ecën për 1 minutë harta e Google Maps të sqaron se gjendesh në lagjen e Freskut.
Një alternativë tjetër është ajo që nga Komuna të dalësh tek Gjykata dhe të marrësh linjën 16A dhe pas 9 stacionesh të ecësh për dy minuta për të arritur tek Farmacia 10 për të marrë linjën 15 A ku zbret pas 5 stacionesh.
Por teksa për brenda qytetit duket se kjo formë funksion për të orientuar të gjithë ata që kanë nevojë krejt e kundërta ndodh me ata që duan të udhëtojnë nga njëri qytet në tjetrin. Të dhënat për shkak të hedhjes së pjesshme nëse kërkon orientim për një destinacion të tregojnë itinerare ndonjëherë edhe pa kuptim.
Për shembull nëse dikush kërkon të dijë se çfarë linje transporti mund të përdorë për të udhëtuar nga Durrësi tek Komuna e Parisit në Tiranë aplikacioni të tregon se duhet kalosh nga Rinasi dhe jo një linjë direkte.
Pra sipas të dhënave që kombinohen online mbi transportin në Google Maps duhet të shkosh tek stacioni qendror i autobusëve në Durrës dhe aty të marrësh autobusin që operohet nga “Adis Travel”, ky i fundit shkon drejt aeroportit të Tiranës. Më pas platforma të tregon se duhet të ecësh dy minuta dhe të tek stacioni i autobusit në Rinas ku do të marrësh atë që operohet nga kompania “Lu-Na sh.p.k” dhe që të lë në qendër. Më pas duhet të ecësh 10 minuta dhe të shkosh tek Shallvaret për të marrë linjën 1A dhe të përshkruash 5 stacione duke zbritur tek rruga “Tish Daija”.
E gjithë kjo sorollatje vjen vetëm për efekt se të dhënat për transportin ndërqytetës nuk janë të hedhura online pasi duhet të kombinohen me Google Transit për të nxjerrë më pas automatikisht çdo detaj për itineraret e përzgjedhura.
Sipas shpjegimit të aplikacionit në Google Transit, përdoruesit mund të shikojnë opsionet e transportit publik brenda Google Maps, duke i ndihmuar ata të planifikojnë rrugët më të mira për të arritur atje ku po shkojnë.
“Me të dhënat e kombinuara të orarit dhe itinerarit të Google Maps, informacioni juaj i tranzitit bëhet lehtësisht i aksesueshëm për miliona përdorues të Google në dhjetëra gjuhë, si në kompjuter, ashtu edhe në pajisjet celulare” – thuhet në shpjegim.
Mbetet e paqartë se cili nga aktorët nga detyrimin e hedhjes së të dhënave online pasi këtë mund ta bëjnë kompanitë e transportit, agjencitë e udhëtimit si dhe institucionet publike mbikëqyrëse secili sipas pjesës që i takon. Aktualisht në vend ka një aplikacion siç është etransport.al që ka të hedhur një pjesë të mirë të këtyre të dhënave dhe që mund të kalohen lehtësisht në Google Transit për ta bërë funksional udhëzimin në Google Maps./MONITOR