Ilir Meta ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, aty ku do të mbahet sot Konventa e Partisë së Lirisë. Megjithatë, ai nuk ka preferuar të flasë për gazetarët. Ndërkohë, Monika Kryemadhi ka folur para nisjes së Konventës, duke qartësuar disa pika që aty.
Kryemadhi e quajti veten “gladiatore me taka”, ndërsa Ilir Metës iu përgjigj duke i thënë se do të propozojë “Konfliktin e interesit” brenda partisë. Më tej, Kryemadhi u shpreh se më e rëndësishme për të është familja dhe jo politika. Ajo shtoi se ndjehet e keqardhur që do të largohet nga Partia e Lirisë me statutin e ri, por tha se do t’i përkushtohet fëmijëve të saj.
“Normal që ndjej keqardhje. Kam 30 vite jetë politike. Për mua familja është shumë më e rëndësishme se politika. Unë i kam ndihmuar këta të rinj e të reja, jam një akademi politike në këto 30. Megjithatë, prioritetet e Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era”, tha Kryemadhi, duke paralajmëruar një largim nga politika.
Ndërkohë, Ilir Meta u shpreh se pas Konventës së kësaj të shtune, Partia e Lirisë do të jetë një tjetër parti. Ai tha se nuk e ka përjashtuar Monika Kryemadhin, pasi sipas tij ajo është deputete, ka 20 mijë vota, madje më shumë se Luçiano Boçi, tha ai.
“Kryemadhi po largohet me keqardhje? Kush e ka gënjyer Monikën, si largohet Monika?! Monika është deputete dhe mund të zgjidhet sa herë që dëshiron. Unë besoj se i ka mbi 20 mijë vota, dyfishin e atyre që ka Luciano Boçi.
Do i japim fund nepotizmit sepse ai e solli në atë situatë që ndihmoi mafien që të kapë të gjitha pushtetet. Kjo nuk është konventë kundër Monikës por 5 prioritetet. Ka punë për të tërë por nuk ka profesionistë thotë ai torollaku, i mori vulën doktorit, do t’ia marrë edhe partisë së Lirisë ai. Jemi në këtë situatë sepse janë 500 lidhje nepotike në dogana dhe dogana.
Monika Kryemadhi është më e mbrojtura nga neni për nepotizimin, pasi duke qenë kryetare e partisë dhe deputete sot dhe ndoshta nesër është automatikisht anëtare e komitetit drejtues. Në kryesi jemi të dy të barabartë. Tani më dëgjoni meqë keni hallin e Monikës ju: nuk dinte Stalini t’i shpëtonte jetën djalit të tij që e morën peng gjermanët? Lexoni, çfarë i tha. Nuk ka lidhje me Kryemadhin” tha ai.