May 27, 2024
Lajmi i fundit Sport

Maguette bën heroin, Partizani fiton në fund derbin ndaj Tiranës

Partizani ka fituar një tjetër derbi ndaj Tiranës. Të kuqtë e drejtuar nga Orges Shehi morën 3 pikët falë dy golave të Maguette, me atë të fitores që u shënua në kohën shtesë.

Senegalezi kaloi në avantazh Partizanin në minutën e 15, pasi goditja e tij nga jashtë zone u devijua nga Hoxhallari, aq sa u desh që të mposhte portierin bardheblu Kozi.

Tirana u përgjigj në minutën e 42-të me Abazajn, i cili përfitoi nga një grushtim jo i mirë i topit nga Qirko, pas goditjes së Jonuzit, për të shënuar me kokë.

Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar, me shumë kartona të verdhë dhe nga një të kuq për secilin ekip (Jonuzi dhe Hadroj), por goli erdhi vetëm në fundin e ndeshjes, me Maguette i cili sërish nga jashtë zone ndëshkon Tiranën.

Me këtë fitore, Partizani thuajse e siguron pjesëmarrjen në “Final Four”, pasi renditet në vendin e tretë me 54 pikë, 7 më shumë se Dinamo dhe Skënderbeu që ndodhen në vendin e katërt dhe të pestë, me 47 pikë. Ndërkohë, Tirana renditet e gjashta, me 46 pikë.