May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

Tanke amerikanë, turq, francezë e gjermanë. Putin ekspozon në Moskë trofetë e luftës në Ukrainë

Dhjetëra makineri luftarake perëndimore të kapura nga trupat rusë në Ukrainë do të ekspozohen në Parkun e Fitores, në Moskë. Autoritetet në kryeqytetin rus po finalizojnë përgatitjet për festimet e ardhshme të Ditës së Fitores me pajisje të shumta ushtarake të kapura nga forcat ruse pasi iu dhuruan Ukrainës nga SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s, në një ekspozitë madhështore që do të hapet javën e ardhshme.

Në pamjet që janë bërë virale në rrjet, shihet një tank “Leopard 2” i prodhimit gjerman që ka përfunduar në Parkun e Fitores, shtëpia e muzeve të luftës të 1812 dhe 1945.

Tanku sipas të dhënave është gjetur i padëmtuar pranë Avdeevka-s muajin e kaluar dhe është tërhequr nga fusha e betejës për t’u rregulluar pasi dukeshin qartë në të gjurmët e betejës me eksploziv.

Një tjetër tank është sjellë si trofe në Moskë. Ai është një luftarak T-72, i projektuar nga Bashkimi Sovjetik. Ukraina ka humbur qindra prej tyre gjatë konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë.

Koleksioni me të cilin do të mburret Moska, u përforcua nga një transportues i blinduar M113, i prodhuar nga SHBA dhe një mjet luftarak këmbësorie Bradley.

Po ashtu është parë një Marder 1A3 IFV i prodhimit gjerman. Trofetë e tjerë përfshijnë një YPR-765, një modifikim holandez të M113 dhe një Kirpi MRAP turk.

Një automjet i blinduar Azovets i prodhimit ukrainas gjithashtu mori rrugën për në kompleksin ku ekspozohen trofetë e luftës. Inxhinierët e krijuan atë në vitin 2015 duke konvertuar një tank T-64 të epokës sovjetike, por ai u zhduk në mënyrë misterioze nga fabrika dhe nuk u pa kurrë në fushën e betejës. Forcat ruse e gjetën atë të varrosur në pranë Mariupolit.

Në përgjithësi, 30 pjesë të blinduara nga 12 vende do të ekspozohen kur ekspozita të hapet zyrtarisht më 1 maj, duke përfshirë armatimin e prodhuar ose të furnizuar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Republika Çeke, Suedia, Austria dhe Australia.