October 2, 2024
Politikë

Tribune de Genéve/ Publicisti shqiptar thirrje Ramës: Mos ndërto një “Guantanamo” në Shqipëri

Jo një “Guantanamo” në Shqipëri (Pas de “Guantanamo” en Albanie) është ky titulli i komentit të kryeredaktorit të gazetës zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27.ch Nefail Maliqi i cili analizon për Tribune de Genéve marrëveshjen e fundit Tiranë-Romë, mes Ramës dhe Melonit mbi instalimin e 40 mijë emigrantëve afrikanë në Shqiperi.

 

Çfarë thonë organizatat ndërkombëtare në Gjenevë dhe ato në Bruksel lidhur me këtë marrëveshje “të turbullt” e çfarë thonë italianët dhe shqiptarët si dhe lideri i opozitës shqiptare, marrëveshje kjo e cila që nuk do kalojë pa pasoja (instalimin e 40 mijë afrikanëve në vendin e shqiponjave) në kohën kur vetë shqiptarët po ikin nga perspektiva, nga ky vend më i vogël dhe me i varfër në Europë.

Shkruan: Nefail MALIQI

Kryeredaktor i gazetës zvicerane në gjuhën shqipe, Le Canton27.ch

Marrëveshja e 7 nëntorit 2023 e nënshkruar në Romë nga kryeministri shqiptar dhe homologia e tij italiane i habiti të gjithë, duke nxitur zemërim sidomos tek shqiptarët dhe italianët. Një sërë polemikash shënuan debatet dhe mediat në këto dy vende, përfshirë këtu edhe në mediat zvicerane dhe ato evropiane. Kjo marrëveshje mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit u prit me rezerva nga organizata europiane dhe ndërkombëtare, si brenda BE-së, në OKB dhe UNHCR. Në bazë të kësaj marrëveshje, Shqipëria do të presë rreth 40 mijë refugjatë nga Afrika në dy kampet e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, qarqet politike dhe mediat kanë shprehur dyshime serioze për këtë projekt. Sipas tyre, marrëveshja është “e paligjshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, joefektive dhe inkurajon imigracionin e paligjshëm”.

 

“Këto kampe refugjatësh do ta kthejnë Shqipërinë në tokë të askujt, ndërsa do të paguhen miliona për Edi Ramën dhe Giorgia Melonin”. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar për gazetën zvicerane “lecanton27.ch” se “kjo marrëveshje e dëmshme dhe e papranueshme bie ndesh me Kushtetutën shqiptare dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare. Forumi për të Drejtat e Njeriut në Strasburg… »

 

Dje, në kohën e fashizmit dhe në kohë lufte, Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët. Sot Giorgia Meloni dëshiron të “ripushtojë” në mënyrë paqësore Shqipërinë me emigrantë afrikanë. Ngritja e kampeve të refugjatëve në territorin e Shqipërisë rrezikon amplifikimin e trafikut të qenieve njerëzore dhe tregtisë së skllevërve, tashmë problematike në tokën e shqiponjave, brenda së cilës mund të ndodhin reagime që mund të cilësohen si “raciste”. Në realitet, nuk bëhet fjalë për racizëm nëse shqiptarët protestojnë kundër ardhjes së afrikanëve: nëse duhet të flasim për racizëm, ky ofendim duhet të rëndojë Italinë, e cila në vend që t’i mbajë refugjatët në vendin e saj, i “dorëzon” Shqipërisë?

 

Si mund të dërgojmë emigrantë në një vend që është vetë i varfër, i karakterizuar nga papunësia dhe një eksod masiv, siç ndodh sot në Shqipëri? Italia e konsideron Shqipërinë si një urë dhe e përdor atë si një kamp.

 

Vetëm në dy dekadat e fundit, më shumë se 1 400 000 qytetarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga Shqipëria. Konkretisht, po krijohet një lloj Guantanamo evropiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së, pa mundur të verifikohet gjendja e personave të mbyllur në këto qendra. Këta emigrantë të dëbuar nga Italia kundër dëshirës së tyre nuk do të mund të mbahen në “burg”.

 

Në pikën 5 të marrëveshjes thuhet më tej se “autoritetet kompetente të palës italiane janë të përjashtuara nga kufizimet apo kontrollet monetare dhe mund të transferojnë lirisht monedha, pavarësisht nga dispozitat në fuqi në Republikën e Shqipërisë”. Edi Rama i hapi kështu rrugën pastrimit të parave, trafikut të drogës dhe llojeve të tjera të trafikut. Këto kampe refugjatësh do ta kthejnë Shqipërinë në një tokë të askujt, ndërsa do të paguhen miliona për Edi Ramën dhe Giorgia Melonin.