September 11, 2024
Ekonomi Lajmi i fundit

873 pasagjerë në tre muaj. Në pritje të rizgjimit, hekurudha preku “pikën e vdekjes” këtë fillimvit

Në pritje të ri-zgjimit, hekurudha shqiptare preku “pikën e vdekjes” këtë fillim-vit. Në tre muajt e lënë pas me tren udhëtuan vetëm 873 pasagjerë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në krahasim me janar-marsin e vitit të shkuar, numri i udhëtarëve në trena u përgjysmua. Edhe më e thellë është rënia nëse për krahasim merret tremujori i parë i 2022-shit periudhë kohore në të cilën trenat u përdorën nga 3 mijë e 827 udhëtarë.

Në linjë me rrudhjen e numrit të pasagjerëve ka shkuar edhe transporti i mallrave. Në janar-mars u transportuan me anë të hekurudhës127 ton mallra nga 149 në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përbënë pjesën dërrmuese, mbi 98 për qind të mallrave të transportuar në tre muajt e parë të vitit.

Kjo në një kohë që linja hekurudhore në shfrytëzim u rrit në 253 kilometër nga 204 kilometër që ishte një vit më parë.

Aktualisht sipas të dhënave të INSTAT, linjat hekurudhore ende në punë janë ato Kufi-Gjorm me gjatësi 93 kilometër, Durrës-Elbasan 76 kilometër, Rrogozhinë-Fier 79 kilometër dhe Fier-Vlorë  35 kilometër.

Por panorama në Hekurudhën Shqiptare pritet të ndryshojë shpejt. Pas Tiranë Durrës me zgjatim në aeroportin e Rinasit, punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm edhe për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Gjithashtu në vijim pritet ndërtimi i infrastrukturave hekurudhore Durrës-Pogradec dhe Durrës-Prishtinë.