Apeli i Posaçëm la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai u arrestua më 23 mars 2024, me urdhër të SPAK, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, në të paktën dy raste. Në të njëjtin vendim Apeli nuk ka ndryshuar masën “detyrim për paraqitje” për Bilbil Aliaj, ish-zyrtar i Ashk, Vlorë.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, i ka vënë shiritin e sekuestros edhe sipërfaqes së dytë të truallit të investimit strategjik të ish-deputetit Artan Gaçi në bregdetin e Dhërmiut. Sipërfaqja prej 5080 m2 është një nga dy sipërfaqet, regjistrimi i së cilave dërgoi në qeli ish-kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro.
SPAK njoftoi zyrtarisht se Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për sekuestrimin e këtij trualli, për llogaritë hetimit të nisur ndaj Goros dhe 4 personave të tjerë, 3 nga të cilët ish-zyrtarë të Bashkisë Himarë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Vlorë.
Sipas SPAK, nga hetimi paraprak ka rezultuar se të dyshuarit e kësaj çështjeje kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të sipërfaqes së sekuestruar, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.