May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

“Dumani, kamikaz politik”. Akuzat ndaj kreut të SPAK, sherr te Siguria mes Nokës dhe Ballës

Deklarata e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, se nuk mund të bashkëpunojë në disa çështje hetimore me Policinë e Shtetit për shkak të dekonspirimit të informacionit ishin shkak që opozita dhe maxhoranca të përplaseshin në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, teksa në tavolinën e të ftuarve ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Një shifër është këtu zoti deputet domethënëse, nuk ka asnjë operacion të zhvilluar së bashku nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit të ketë pasur rrjedhë informacioni në këto 300 ditë që unë kam nderin të jem në atë pozicion që keni qenë edhe ju dikur”, tha Balla.

Noka u përgjigj: “Merrni të dhënat e dosjes metamorfoza që është në SKAP. Thirreni atë Dumanin, që ju e vlerësoni kaq shumë që është një kamikaz politik dhe jo besnik i drejtësisë. Pyeteni kush janë drejtuesit e policisë që janë të përfshirë?”

Akuzat e opozitës ndaj drejtuesit të Prokurorisë, për maxhorancën janë dëshmi e një zakoni të vjetër të demokratëve.

“Se nuk është rastësi që babai juaj politik gjithmonë luftën e ka pas me drejtuesit e prokurorive. Nga Maks Haxhia, te Arben Rakipi, tek Dhori Sollaku, tek Ina Rama dhe tani te Altin Dumani. Nuk është rastësi. Vetëm dy profesione keni pasur problem, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Ambasadorin Amerikan”, deklaroi Balla.

Flamur Noka nuk pati problem të tregonte përse demokratët i referohen SPAK-ut si SKAP: “Ajo që ju e quani SPAK, ne e quajmë SKAP për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse po të ishte SPAK nuk mund të fillonte hetime me letra false që i keni paraqitur ju për të hetuar një qytetar dhe profesor si Jamarbër Malltezi”.

Pas debatit politik, drejtuesi i Komisionit, Nasip Naço njoftoi deputetët opozitarë se kërkesa e tyre për një seancë dëgjimore me Altin Dumanin do të gjejë zbatim gjatë raportimit vjetor të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në një mbledhje të përbashkët me Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore.