Rusia ka goditur me breshëri raketash qytetin e Kharkivit. Sipas raportimeve të Reuters, 8 persona kanë humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur. Rusët, bëjnë me dije zyrtarët lokal të Kharkivit kanë synuar goditjen e zonave të banuara. Mirëpo, forcat ruse nuk janë ndalur me aq.
Odesa, qyteti port, tepër i lakmuar nga Kremlini ka qenë shënjestra e radhës. Ushtria ruse ka arritur të shkatërrojë një ndërtesë simbolike për Odesën duke lënë të vdekur të paktën 5 persona dhe plagosur 32 të tjerë. Presidenti i Ukrainës pas sulmeve përsëriti kërkesën e tij për sistemin e mbrojtjes Patriot.
“Sapo mora raporte mbi situatën në Odessa pas një sulmi raketor rus dhe në Kharkiv pas një sulmi tjetër ajror të udhëhequr nga Rusia. Fatkeqësisht, disa njerëz u vranë në Odessa. Shumë njerëz u plagosën dhe të gjithë po marrin ndihmë. Planet sulmuese të Rusisë mund të kundërshtohen dhe ndalohen. Patriotët duhet të furnizohen në Ukrainë tani”, tha Volodymyr Zelenskyy, President i Ukrainës.
Sakaq, i revoltuar nga shkatërrimi i ndërtesës në Odesa, kryetari i bashkisë i etiketoi sulmet si monstruoze.
“Përbindëshat. Bisha. Egërsira. Llum. Nuk di çfarë të them tjetër. Njerëzit po shkojnë për shëtitje buzë detit dhe po qëllojnë dhe po vrasin”, u shpreh Hennadii Trukhanov, Kryetar i Bashkisë së Odesës.
Ndërkohë, Rusia është vënë në qendër të kritikave për përdorimin e raketave të prodhuara nga Koreja e Veriut. OKB në bazë të monitorimit të saj prej 32 faqesh, ka arritur në konkluzioni se Rusia ka goditur disa herë Kharkivin me raketat e Phenianit. Sipas Kombeve të Bashkuara raketat janë të sanksionuara nga organizmat ndërkombëtarë.
E njohur zyrtarisht si Republika Popullore Demokratike e Koresë, Koreja e Veriut ka qenë nën sanksionet e OKB-së për programet e saj të raketave balistike dhe bërthamore që nga viti 2006, dhe këto masa janë forcuar me kalimin e viteve.