June 19, 2024
Politikë

Premton një surprizë për shkodranët, Rama shfaqet me “Mamicën” dhe “Vrana Kontin” për në Theth

Përmes një videoje në rrjetet sociale Edi Rama ka ndarë një moment nga ngjitja drejt Thethit, i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.

Rama u shpreh në videomesazh ka ardhur tek “‘Buni i Bajraktarit, siç thotë Mamica (Spiropali) ‘Ballkoni i Perëndisë'”. Ai shtoi se tashmë po vijon puna për investimet e reja në male, ku fokusi është tek agro-turizmi dhe i bëri thirrje të gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë jashtë të kthehen në vendlindje dhe të investojnë në këto male.

Nga ana tjetër, Spiropali e ka quajtur Benet Becin, Vrana Kontin që po i shoqëron në Malësi, etiketim që është aprovuar edhe nga Rama.

Kryeministri Rama: Po ngjitemi drejt Thethit ku do diskutojmë atje me ata të cilët kanë hapur dyert edhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik, për programin e ri, paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male, që do i hapë rrugë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jetë më të mirë, që kanë punuar pa pushim e kanë kursyer, që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave e pa pasur as nevojë të kalojnë në gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë shpërndarë lart e poshtë. Me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agro-turizmet, për të fituar shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë falë turizmit e falë miliona-miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri, edhe më shumë këtë vit se 10 milionët e vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, shumë më tepër punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit e mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipëri

Elisa Spiropali: Pak më tej do të shkojmë në Theth pasi Vrana Konti nuk mund të na lërë në Malësinë e Madhe, do të na çojë në territorin e Shkodrës, edhe do ti biem përqark gjithë kësaj Unaze që si asnjëherë ka marrë një zhvillim të ri dhe do të sjellë jo vetëm më shumë turistë por edhe më shumë begati për gjithë banorët e zonës.

Kryeministri Rama: Vrana Konti ka dalë nga Kështjella e Rozafatit.

Benet Beci: Të fillojmë rrugën, lotin e dytë të rrugës së Dukagjinit, për të bërë edhe 30 kilometra rrugë të tjera.

Kryeministri Rama: Jo vetëm kaq, po kemi edhe një plan shumë ambicioz por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët, për Shkodrën loce që tani në krahët e Rilindjes do të fluturojë lart e më lart dhe do kthehet në atë lartësi që e kanë dashur dhe i kanë kënduar poetët e vet të jashtëzakonshëm.